Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në një objekt në Prizren, pas shembjes së një pllake betoni, ku u lënduan gjashtë punëtorë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, tre nga punëtorët e lënduar vazhdojnë të jenë në spital, ndërsa tre të tjerët janë liruar për trajtim në shtëpi. Njëri nga punëtorët ka pësuar fraktura.
Inspektorati ka bërë të ditur se ndalimi i punimeve është bërë me qëllim të parandalimit të rreziqeve dhe garantimit të sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve në vendin e punës.
Po ashtu, institucioni ka njoftuar se do të vazhdojë me veprimet inspektuese, në kuadër të kompetencave të tij ligjore, me fokus në sigurinë dhe shëndetin në punë.