Një familje në Prishtinë është përballur me një situatë të rëndë mbrëmjen e së premtes, kur një 31-vjeçar dyshohet se kërcënoi me vrasje babanë dhe motrën e tij. Motra ka deklaruar se e kishte dëgjuar vëllain duke folur në telefon se do ta mbyste, ndërsa babai 68-vjeçar ka denoncuar se i biri e kishte kërcënuar drejtpërdrejt me vrasje. Rasti ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe ndalimin e të dyshuarit.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 6 nëntor 2026, rreth orës 22:30, në rrugën “Aleks Buda” në Prishtinë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, M.H. 36 vjeçare ka deklaruar para zyrtarëve policorë se e kishte dëgjuar vëllain e saj, P.H. 31 vjeçar, duke biseduar në telefon dhe duke thënë se do ta mbyste atë.

Por denoncimi nuk ka përfunduar me kaq.

Edhe babai i tyre, A.H. 68 vjeçar, ka deklaruar se ishte kërcënuar nga i biri, i cili dyshohet se i kishte thënë se do ta vriste.

Pas raportimit, të përfshirët janë shoqëruar në Stacionin Policor Veriu, ku janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

31-vjeçari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit.

Me vendim të Prokurorisë, ndaj tij është caktuar ndalimi për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Kanosja”.

Hetimet po vazhdojnë për sqarimin e rrethanave dhe verifikimin e pretendimeve të familjarëve.

I dyshuari gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata