Një rast i vjedhjes së rëndë në zonën industriale të Miradisë së Epërme në Fushë Kosovë është zbardhur nga Policia, pasi pamjet e kamerave të sigurisë kanë çuar në identifikimin e të dyshuarit.

Sinjali mëson se i dyshuari është Armend Salihu, rreth 19-vjeçar, i cili pas intervistimit dyshohet se e ka pranuar kryerjen e veprës.

Rasti kishte ndodhur më 26 korrik, rreth orës 09:50, në një depo të kompanisë “Kosprod”, ndërsa ishte raportuar në Polici më 4 gusht nga D. B., rreth 23-vjeçar.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pas kontrollimit të kamerave të sigurisë ishte vërejtur një person me karrocë, i cili dyshohet se kishte depërtuar në depo duke dëmtuar njërën nga dyert.

Nga depoja dyshohet se janë vjedhur sende metalike dhe kabllo elektrike, vlera e të cilave është deklaruar të jetë rreth 2 mijë euro.

Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Fushë Kosovë ka analizuar pamjet e kamerave dhe, sipas raportit, ka arritur ta identifikojë të dyshuarin si Armend Salihu.

Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, sipas burimeve, ka pranuar se e kishte kryer vjedhjen.

Me vendim të Prokurores kujdestare, ndaj të dyshuarit është caktuar ndalimi prej 48 orësh.

Rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë” dhe po vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.