Një person dyshohet se ka kanosur me thikë një grua dhe fëmijën e saj në lagjen “Adnan Krasniqi” në Prizren, shkruan Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson nga burimet e saj se rasti ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 22:11, pas një kanosjeje me thikë.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar personin e dyshuar, ndërsa me autorizim të Prokurorit të Shtetit është bastisur edhe banesa e tij.

“Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike, si dhe një shumë parash të gatshme. Lidhur me rastin e kanosjes, pas intervistimit të personit të dyshuar, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë. Hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar nga Stacioni Policor Prizren. Ndërsa, rasti që ndërlidhet me substancat narkotike është duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë. Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit”, tha Bytyqi.

Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.