Një incident në orët e hershme të mëngjesit në një furrë buke në Pejë ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, arrestimin e dy personave dhe lëndimin e një zyrtari policor. Gjithçka nisi pas një mosmarrëveshjeje për shërbimin, ndërsa situata u përshkallëzua me fyerje, rezistencë gjatë arrestimit dhe kërcënime ndaj policëve, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se personat e arrestuar janë Veton Kurmehaj rreth 41 vjeçar dhe Shpat Mahmuti rreth 36 vjeçar, të cilët janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë.
Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 8 nëntor, rreth orës 06:50, në furrën “Aroma”, në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Pejë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në lokal kishin hyrë gjashtë persona, ndërsa Kurmehaj kishte nisur të bërtiste dhe të fyente punonjëset lidhur me shërbimin.
Njëra prej punonjëseve u kishte thënë se porosia do të përgatitej brenda 15 minutash, por situata nuk ishte qetësuar.
Kur në vendin e ngjarjes mbërriti patrulla policore, 41-vjeçari dyshohet se vazhdoi me fyerje dhe shprehje banale, këtë herë ndaj tre zyrtarëve policorë.
Policët tentuan ta arrestonin, por ai bëri rezistencë pasive, ndërsa në ndërhyrje u përfshinë edhe persona të tjerë që ndodheshin në tavolinë me të.
Sipas të dhënave policore, Mahmuti ishte personi që pengoi më së shumti zyrtarët gjatë kryerjes së detyrës, për çka edhe ai u arrestua.
Gjatë arrestimit të Kurmehajt, një zyrtar policor pësoi lëndim në gishtin e dorës së majtë dhe kërkoi trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.
Incidenti vazhdoi edhe gjatë transportimit të të arrestuarve në stacion policor, ku Kurmehaj dyshohet se kërcënoi zyrtarët policorë.
Testi i alkoolit zbulon se të dy ishin nën ndikim
Pas shoqërimit në stacion, të dy të dyshuarve u është bërë alkotesti.
Kurmehaj ka rezultuar me 0.97 promil alkool, ndërsa Mahmuti me 0.60 promil.
Për rastin është njoftuar Prokuroria, ndërsa hetimet janë marrë përsipër nga njësia rajonale e hetimeve në Pejë.
Me vendim të Prokurorisë, ndaj Veton Kurmehajt është iniciuar procedura penale për veprën “Kanosja ndaj personit zyrtar”, ndërsa ndaj Shpat Mahmutit për veprën “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.
Të dy janë ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.