Një 33-vjeçar është ndaluar mbrëmjen e 14 shtatorit në Prishtinë, pasi gjatë verifikimit ka rezultuar se ndaj tij ishte aktiv një urdhër-arrest për dy vepra penale.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Amir Goxhufin, rreth 33-vjeçar, i cili është ndaluar rreth orës 21:45 në rrugën “Shaban Shala”.

Pas verifikimit të të dhënave, ka rezultuar se ai kërkohej për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ndaj 33-vjeçarit ishte shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë eurosh.

Për shkak se gjoba nuk ishte paguar, ajo ishte shndërruar në dënim me burgim prej plot 100 ditësh.

Pas realizimit të urdhër-arrestit, Goxhufi është dërguar drejtpërdrejt në Burgun e Dubravës për vuajtjen e dënimit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.