Një rast serioz i kanosjes brenda një raporti familjar është denoncuar në Vushtrri, ku një grua ka raportuar në Polici bashkëshortin me të cilin aktualisht nuk jeton, duke pretenduar se ai e kishte kërcënuar pasi ajo nuk ishte kthyer në shtëpi, raporton Sinjali.
Rasti ka ndodhur më 23 gusht, ndërsa sipas informacioneve që ka Sinjali, gruaja, F.B., 50-vjeçare, ka deklaruar se bashkëshorti i saj, M.Z., 59-vjeçar, kishte shkuar deri te vendi i saj i punës.
Aty, sipas deklarimit të saj, ai dyshohet se e ka kërcënuar me fjalët:
“Që nuk kthehesh, ti e din ku, a unë në burg.”
Por rasti ka marrë përmasa edhe më serioze pas deklaratave që Policia ka marrë nga dy fëmijët e çiftit, të cilët janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.
Sipas tyre, babai dyshohet se kishte bërë deklarata kërcënuese ndaj bashkëshortes në rast se ajo nuk kthehej në shtëpi, duke folur edhe për mundësinë e vrasjes së saj.
Në deklaratat e dëshmitarëve pretendohet se ai kishte thënë se, edhe nëse do të përfundonte në burg, do të paguante për të dalë dhe më pas do të vepronte ndaj saj.
Për shkak të seriozitetit të pretendimeve, për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar.
Pas veprimeve policore është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosja”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.