Një skemë e dyshuar për manipulimin e testeve me shkrim për patentë-shofer është goditur sot në Mitrovicë, pas disa muajsh hetime nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në kuadër të rastit janë ndaluar Habib Kalludra, Florent Zeneli, Erion Geci dhe Afrim Geci, ndërsa Arizona Rushiti është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti po hetohet nën dyshimet për veprat penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” dhe “Dhënia e ryshfetit në sektorin privat”.

Hetimet kishin nisur më 6 shkurt 2026, pas informacioneve se pronari i autoshkollës “Vicianumi”, në bashkëveprim me persona të tjerë, dyshohej se u ndihmonte kandidatëve që në mënyrë të kundërligjshme t’i kalonin testet me shkrim për patentë-shofer.

Skema që dyshohet se përdorej ishte e sofistikuar.

Sipas informacioneve të siguruara gjatë hetimeve, kandidatëve dyshohet se u vishej një maicë në të cilën montohej kamerë, ndërsa në vesh u vendosej një pajisje dëgjuese. Kamera mundësonte që pyetjet e testit të shiheshin nga distanca, ndërsa përmes dëgjueses kandidatëve dyshohet se u tregoheshin përgjigjet e sakta.

Pas veprimeve hetimore, më 3 prill, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë ndaj personave të dyshuar në këtë rast.

Hetimi ka kulmuar sot, më 31 gusht, kur Policia ka siguruar informacione se dy kandidatë po përgatiteshin të hynin në provimin me shkrim duke përdorur pajisje telekomunikuese.

Hetuesit kanë reaguar menjëherë dhe kanë ndaluar një Golf 8, ngjyrë hiri, ndërsa gjatë kontrollit te kandidatët janë gjetur pajisjet që dyshohet se ishin përdorur për manipulimin e testit.

Dy kandidatët, sipas të dhënave të rastit, kishin arritur ndërkohë ta kalonin testin për patentë-shofer.

Me kërkesë të Prokurorit të Shtetit janë kryer më pas bastisje në Pantinë dhe Skenderaj, por gjatë kontrolleve nuk është gjetur ndonjë send tjetër i dyshuar.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar pajisjet telekomunikuese të gjetura te kandidatët dhe katër telefona mobilë.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, katër të dyshuar janë ndaluar, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe mënyrës së funksionimit të skemës po vazhdojnë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.