Një skemë e dyshuar për manipulimin e testeve me shkrim për patentë-shofer është goditur sot në Mitrovicë, pas një hetimi disamujor të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në këtë rast janë përfshirë Habib Kalludra, Florent Zeneli, Arizona Rushiti, Erion Geci dhe Afrim Geci, nën dyshimet për veprat penale që lidhen me pranimin dhe dhënien e ryshfetit në sektorin privat.
Rasti është duke u hetuar nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut, ndërsa në qendër të hetimeve është një skemë e pazakontë, përmes së cilës dyshohet se kandidatëve u mundësohej kalimi i testit teorik për patentë-shofer me ndihmën e teknologjisë.
Sipas informacioneve të Sinjalit, hetimet kanë nisur më 6 shkurt 2026, pas dyshimeve se pronari i autoshkollës “Vicianumi”, në bashkëveprim me persona të tjerë, u ndihmonte kandidatëve që në mënyrë të kundërligjshme t’i kalonin testet me shkrim.
Mënyra se si dyshohet se funksiononte skema është edhe pjesa më e pazakontë e rastit.
Kandidatëve dyshohet se u vishej një maicë në të cilën ishte montuar kamerë, ndërsa në vesh u vendosej një pajisje dëgjuese. Në këtë mënyrë, nga distanca dyshohet se shiheshin pyetjet e testit, ndërsa kandidatëve u përcilleshin përmes dëgjueses përgjigjet e sakta.
Hetimet kishin avancuar që në muajin prill. Më 3 prill 2026, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kishte dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kallëzim penal ndaj dy personave të dyshuar.
Por hetimi disamujor ka kulmuar sot, të hënën, më 31 gusht, kur hetuesit kanë siguruar informacione se dy kandidatë po përgatiteshin t’i nënshtroheshin testit me pajisjet e dyshuara të telekomunikimit.
Policia ka reaguar menjëherë, duke ndaluar një Golf 8, ngjyrë hiri. Gjatë kontrollit të kandidatëve janë gjetur pajisjet e montuara që dyshohet se ishin përdorur për kalimin e testit.
Por kandidatët, sipas informacioneve të rastit, tashmë kishin arritur ta kalonin testin për patentë-shofer.
Pas ndërhyrjes policore, me kërkesë të Prokurorit të Shtetit janë realizuar edhe bastisje në Pantinë dhe Skenderaj, por gjatë kontrolleve nuk është gjetur ndonjë send tjetër i dyshuar.
Si prova materiale janë sekuestruar pajisjet telekomunikuese të gjetura te kandidatët dhe katër telefona mobilë.
Pas intervistimit dhe përfundimit të veprimeve të para hetimore, Prokuroria ka nxjerrë aktvendime për ndalimin e katër personave, ndërsa një person është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti vazhdon të hetohet nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.