Sinjali ka mësuar identitetin e personave të dyshuar në lidhje me shpërthimin e 16 qershorit në rrugën “Brigada 128” në Prizren, ku ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale pranë shtëpisë së avokatit Betim Kadolli.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se pas disa muajsh hetimesh, Sektori i Hetimeve Rajonale në Prizren ka identifikuar si të dyshuar Detjon Kastratin, Adonis Kastratin, Lenti Zylfiajn dhe Lindona Zylfiajn.
Rasti kishte ndodhur më 16 qershor, rreth orës 03:30, kur banorët ishin zgjuar nga zhurma e dy shpërthimeve të fuqishme.
Si pasojë, kishte marrë flakë vetura e Betim Kadollit, ndërsa ishte dëmtuar edhe fasada e shtëpisë së Lulzim Hotit.
Fatmirësisht, nga shpërthimet nuk kishte persona të lënduar, por dëmi material ishte vlerësuar në rreth 22 mijë euro.
Pas një pune intensive hetimore, më 2 tetor, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, janë realizuar bastisje në tri lokacione në rajonin e Kamenicës.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Detjon Kastrati, Lenti Zylfiaj dhe Lindona Zylfiaj janë shoqëruar në zyrat e Hetimeve Rajonale në Prizren dhe më pas janë ndaluar për 48 orë.
Gjatë intervistimit, Kastrati është mbrojtur në heshtje në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa edhe dy të dyshuarit e tjerë janë intervistuar në prani të avokatëve.
Ndërkohë, Adonis Kastrati aktualisht ndodhet jashtë shtetit.
Rasti po hetohet për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rolin e secilit prej të dyshuarve dhe motivin e plotë të shpërthimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.