Ekipi për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak (CIMIC) i misionit të KFOR-it në Kosovë ka dhuruar pajisje mjekësore dhe mobilie për Qendrën Shëndetësore në fshatin Gorazhdec të Pejës.

Sipas KFOR-it, donacioni është realizuar me ndërmjetësimin e ekipit CIMIC të Komandës Rajonale Perëndim dhe synon të rrisë kapacitetet e kësaj qendre shëndetësore.

Pajisjet dhe mobiliet e dhuruara pritet të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për banorët e zonës.

KFOR-i ka bërë të ditur se kjo iniciativë është pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët lokalë për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Misioni i NATO-s ka rikujtuar se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke punuar në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in në kuadër të përgjegjësive të tyre për sigurinë.