Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë (KFOR) ka dhuruar pajisje mjekësore për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, me qëllim të përmirësimit të kapaciteteve për trajtimin e rasteve emergjente.

Donacioni përfshin 200 batanije për raste emergjente, nëntë dyshekë spitalorë, një barelë vetëngarkuese për autoambulancë, si dhe pajisje të tjera mjekësore.

Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë komandanti i Komandës Rajonale Perëndim të KFOR-it, koloneli Giuseppe De Blasi, dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

Sipas njoftimit të KFOR-it, pajisjet e dhuruara do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të QKMF-së për reagim ndaj emergjencave dhe në ofrimin e kujdesit për pacientët.

KFOR-i ka theksuar se përmes iniciativave të tilla synon të mbështesë institucionet lokale dhe të forcojë bashkëpunimin me komunitetet në Kosovë.