Personeli shumëkombësh i Komandës Rajonale-Lindje (RC-E), në kuadër të misionit të KFOR-it, ka zhvilluar në kampin Bondsteel një stërvitje të integruar për mbrojtjen e bazës dhe reagimin ndaj incidenteve me numër të madh viktimash.
Në këtë stërvitje morën pjesë pjesëtarë ushtarakë nga vende të ndryshme, ekipe mjekësore, zjarrfikës dhe njësi të aviacionit, të cilët testuan aftësitë për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve të simuluara dhe emergjencave në shkallë të gjerë.
Gjatë aktivitetit u praktikuan procedurat për mbrojtjen e forcave, bartjen dhe trajtimin e të lënduarve, si dhe evakuimin e tyre.
Sipas KFOR-it, trajnimi i koordinuar ndërmjet njësive të ndryshme ka forcuar bashkëveprimin dhe gatishmërinë për t’iu përgjigjur situatave komplekse emergjente, duke kontribuar në ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
KFOR-i ka ritheksuar se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.