Një rast i kanosjes dhe moszbatimit të urdhrit të Gjykatës është regjistruar në Podujevë, ku një burrë dyshohet se ka shkuar te shtëpia e bashkëshortes së tij, pavarësisht se ndaj tij ishte në fuqi një urdhër mbrojtës, dhe atje dyshohet se ka kanosur babain e saj.
Sinjali mëson se i dyshuari është S. K., rreht 30-vjeçar, me banim në Shkup, ndërsa rasti është raportuar në Polici nga bashkëshortja e tij, E. K., rreth 29-vjeçare.
Ngjarja ka ndodhur më 8 gusht, rreth orës 18:30, në fshatin Livadicë të Podujevës.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, S.K dyshohet se ka hyrë në oborrin e shtëpisë ku ndodhej bashkëshortja e tij dhe më pas ka kanosur babain e saj, Sh.Sh.
Njësitë policore kanë intervenuar dhe palët janë shoqëruar në stacion për intervistim.
I dyshuari, i intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ka pranuar se kishte shkuar te shtëpia e bashkëshortes, duke deklaruar se qëllimi i tij ishte të arrinin një marrëveshje, por ka mohuar pretendimin se kishte kanosur viktimën.
Ndërkohë, E. K. ka deklaruar se është ndarë nga bashkëshorti që nga marsi i këtij viti dhe se ndihet e rrezikuar prej tij. Sipas burimeve, më 25 mars 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar një urdhër mbrojtës.
Për rastin është njoftuar Prokurorja kujdestare, e cila ka urdhëruar inicimin e rastit për “Kanosje” dhe ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
Për shkak të urdhrit mbrojtës ekzistues është njoftuar edhe prokurorja, e cila ka urdhëruar hapjen e një rasti tjetër për “Moszbatim të urdhrit të Gjykatës”.