Një seancë gjyqësore për një kontest pronësor në Viti është ndërprerë nga një incident i rëndë. Gjyqtarja që po shqyrtonte çështjen në terren dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një burrë i pakënaqur me vendimin e saj. Ai pretendohet se e ka kapur për krahu, e ka shtrënguar dhe e ka shtyrë disa herë, duke këmbëngulur se prona ishte e tij.
Gazeta Sinjali ka siguruar ekskluzivisht identitetin e gjyqtares që ishte cak i sulmit të dyshuar.
Bëhet fjalë për Qendresa Sejdiun, gjyqtare në Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega në Viti.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur të mërkurën, më 4 nëntor, rreth orës 14:00, në fshatin Sadovinë e Jerlive, gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore në terren.
Gjyqtarja po zhvillonte një procedurë kontestimore kur situata dyshohet se është përshkallëzuar pas pakënaqësisë së njërit prej personave të pranishëm me vendimin e saj.
“Kjo është prona ime!” – momenti kur seanca u kthye në incident
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, personi i dyshuar është Herion Ymeri, i cili pretendohet se ka reaguar ndaj vendimit të gjyqtares duke e sulmuar fizikisht.
Ai dyshohet se e ka kapur Sejdiun për krahu, e ka shtrënguar dhe e ka shtyrë, ndërsa përsëriste fjalët: “Kjo është prona ime!”
Veprimet e dyshuara janë përsëritur dy deri në tri herë, deri në mbërritjen e njësive policore në vendngjarje.
Pas incidentit, gjyqtarja është pajisur me raport mjekësor.
Arrestohet i dyshuari, Prokuroria urdhëron ndalimin
Pas raportimit të ngjarjes, në vend kanë ndërhyrë njësitë policore, ndërsa për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit.
Me vendim të Prokurorisë, Herion Ymeri është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Hetimet po zhvillohen nga njësitë rajonale në Gjilan, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.
Përgjegjësia eventuale penale e të dyshuarit mbetet të përcaktohet gjatë procedurës.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.