Një rast serioz i kanosjes mes familjarëve është denoncuar në Prishtinë, ku dy persona pretendojnë se janë kërcënuar me vrasje përmes telefonit nga djali i tezes së tyre, raporton ekskluzivisht Sinjali.

Por rasti ka marrë një kthesë edhe më shqetësuese pasi i dyshuari është intervistuar nga Policia. Sipas burimeve nga Prokuroria, ai ka pranuar se i kishte kërcënuar me vetëdije të plotë dhe ka deklaruar se nuk ndihej i penduar për veprimin e tij.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është M. H., 23-vjeçar, i cili tashmë është ndaluar për 48 orë.

Rasti dyshohet se ka ndodhur më 29 gusht, rreth orës 19:20, në Prishtinë, ndërsa është raportuar në Polici mbrëmjen e 30 gushtit.

Dy të dëmtuarit janë paraqitur në stacion policor dhe kanë deklaruar se përmes telefonit kishin marrë kërcënime nga familjari i tyre.

Sipas deklarimeve të tyre, ndër fjalët kërcënuese që pretendohet se M.H ua kishte drejtuar ishte edhe “kom me ju vra”.

Të dëmtuarit kanë deklaruar se posedojnë edhe dëshmi lidhur me kërcënimet e raportuara.

Pas denoncimit, Policia ka intervistuar 23-vjeçarin në cilësinë e të dyshuarit.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, M.H ka pranuar se i kishte kërcënuar dy familjarët, duke deklaruar se veprimin e kishte bërë me vetëdije të plotë.

Madje, sipas burimeve, ai ka deklaruar se nuk ndihet i penduar për kërcënimet.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit penal për veprën “Kanosja”.

Me vendim të Prokurorit, M. H. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet nga organet kompetente.