Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se gjyqtari i arrestuar sot nga organet e rendit është Avdirrahman Gashi, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan.
Tashmë, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë dalë me detaje zyrtare lidhur me rastin, duke bërë të ditur se gjyqtari me inicialet A.G. është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.
Sipas komunikatës së përbashkët, arrestimi është realizuar pas një hetimi disamujor të zhvilluar nga Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës.
“Bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara gjatë hetimit, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprën penale për të cilën është ndërmarrë masa e arrestimit”, thuhet në komunikatë.
Për shkak të integritetit të procesit hetimor dhe respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë, autoritetet kanë bërë të ditur se në këtë fazë nuk mund të japin detaje të tjera për rastin.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe veprave të tjera penale.