Një kontroll që nisi për shkak të dyshimeve se një shofer nuk posedonte kategorinë përkatëse për mjetin që po drejtonte, ka eskaluar në një incident serioz në pikën kufitare në Jarinjë, me kërcënime ndaj zyrtarëve policorë, rezistencë gjatë arrestimit dhe një polic të lënduar, raporton Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 28 gusht, rreth orës 15:50, në hyrje të Republikës së Kosovës.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, një 35-vjeçar kishte mbërritur në pikën kufitare duke drejtuar një kamionetë për transportimin e automjeteve, së cilës i ishte bashkëngjitur një rimorkio me tri vetura të ngarkuara.

Gjatë kontrollit, policët kanë konstatuar se shoferi nuk posedonte kategorinë përkatëse për drejtimin e këtij kombinimi të mjeteve, për shkak se tejkaloheshin parametrat e lejuar të peshës së përgjithshme dhe gjatësisë.

Për këtë arsye ishte kërkuar asistenca e njësisë së trafikut për trajtimin e kundërvajtjes.

Por një kontroll që duhej të përfundonte me procedurë trafiku, dyshohet se shumë shpejt është shndërruar në konfrontim me policët.

Personi që shoqëronte shoferin dyshohet se ka nxjerrë telefonin dhe ka fotografuar njërin prej zyrtarëve policorë.

Më pas, sipas të dhënave nga prokuroria, ai dyshohet se i është drejtuar policit me një kërcënim të drejtpërdrejtë:

Për këtë pjesë shihemi ne prapë privatisht, nuk ka me u kry me kaq. Nëse jam gjallë, kam me ta zhvesh uniformën”.

Pas këtyre fjalëve, Policia ka ndërhyrë për arrestimin e tij.

Situata ka eskaluar edhe më tej.

I dyshuari raportohet se ka shfaqur sjellje agresive, mosbindje dhe rezistencë aktive në rritje, ndërsa gjatë përpjekjes për ta vënë nën kontroll një zyrtar policor ka pësuar lëndime në dorën e djathtë.

Në incident më pas dyshohet se është përfshirë edhe shoferi i kamionetës, i cili, sipas Policisë, ka penguar arrestimin e personit tjetër.

Edhe ai dyshohet se u është drejtuar policëve me kërcënime.

Kemi me u kthy privatisht, kemi me e çu deri në fund, se nuk ka me mbetë me kaq”, janë fjalët që, sipas raportit të rastit, ai dyshohet se ua ka thënë zyrtarëve policorë, krahas fjalëve fyese.

Për vënien e situatës nën kontroll, Policia raporton se është përdorur forcë proporcionale, e arsyeshme dhe e domosdoshme.

Të dy personat janë arrestuar dhe rasti është dërguar për trajtim të mëtejmë hetimor.

Ata janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës, ndërsa pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyve.

Rasti po trajtohet nën dyshimet për kanosje ndaj personit zyrtar dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave dhe autorizimeve, ndërsa për shkak të kompetencës lëndore i është kaluar Njësisë së Hetimeve Rajonale në Mitrovicë të Veriut.