Krisma armësh të dëgjuara nga një shtëpi në fshatin Malësi e Re të Prizrenit kanë vënë në lëvizje Policinë të shtunën mbrëma, ndërsa një 23-vjeçar ka përfunduar në ndalim për 48 orë, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Mexhit Kukaj, 23-vjeçar, i cili dyshohet për përdorim të armës dhe posedim të paautorizuar të saj.
Ngjarja ka ndodhur më 29 gusht, rreth orës 20:30, derisa një patrullë policore ndodhej në një pikë statike në fshatin Malësi e Re.
Në një moment, zyrtarët policorë kanë dëgjuar krisma armësh që vinin nga drejtimi i një shtëpie dhe janë afruar menjëherë për të verifikuar situatën.
Policët kanë kërkuar sqarime lidhur me të shtënat, ndërsa para tyre ka dalë Kukaj.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, 23-vjeçari ka pranuar se kishte shtënë me një armë me gaz.
Pas kësaj janë angazhuar Njësia e Hetimeve dhe Krim-Teknika, të cilat kanë kryer procedurat në vendngjarje dhe kanë sekuestruar armën dhe një karikator të zbrazët.
Kukaj është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe në praninë e avokatit mbrojtës.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Shtetit, i cili ka urdhëruar vazhdimin e procedurave për veprat “Përdorimi i armës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.
Me vendim të Prokurorit, Mexhit Kukaj është ndaluar për 48 orë.
Rasti vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.