Një aheng familjar në fshatin Gaçkë të Ferizajt është shoqëruar me të shtëna armësh mbrëmjen e 19 shtatorit, çka ka vënë në lëvizje Policinë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar rreth orës 20:50, pasi në zonë ishin dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri.
Njësitet reaguese dhe hetuesit e Stacionit Policor në Ferizaj kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë identifikuar shtëpinë ku po mbahej ahengu.
Aty kanë kontaktuar me M.N., 40-vjeçar, i cili, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ka pranuar se gjatë ahengut familjar në shtëpinë e kushëririt të tij kishte shtënë disa herë me armë.
Nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë e zezë e llojit Zoraki 917.
Për rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe, pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
40-vjeçari është intervistuar lidhur me rastin dhe më pas, me urdhër të Prokurorisë, është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti do të procedohet në Prokurori.