Shtetasi i Republikës së Kosovës, Bajram Bajrami, është liruar nga autoritetet kroate, pas ndalimit të tij në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Drejtësisë, e cila ka njoftuar se lirimi i Bajramit ka ardhur pas angazhimit të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës, si dhe bashkëpunimit me autoritetet kompetente të Kroacisë.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, Bajram Bajrami ishte ndaluar në Kroaci në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, lidhur me pretendime për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Pas angazhimit të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe bashkëpunimit me autoritetet kompetente të Republikës së Kroacisë, shtetasi i Republikës së Kosovës, Bajram Bajrami, është liruar nga autoritetet kroate”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas njoftimit, që nga momentet e para të ndalimit, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme institucionale për adresimin e rastit.
Ministria ka bërë të ditur se më 14 gusht 2026, përmes një shkrese zyrtare drejtuar ministrit të Drejtësisë të Kroacisë, Damir Habijan, dhe autoriteteve kompetente, Gërvalla ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasit të Kosovës, duke ngritur njëkohësisht edhe shqetësimin lidhur me përdorimin e urdhër-arresteve të Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Çështja është adresuar gjithashtu edhe gjatë bisedës telefonike të Ministres Gërvalla me homologun e saj kroat, me qëndrimin se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të mbahen peng nga pretendime të tilla të Serbisë dhe se, për çështjet që lidhen me veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës, kompetenca u takon institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës.”
Në njoftim thuhet se rasti i Bajramit është “një tjetër dëshmi” se qytetarët e Kosovës nuk do të mbeten vetëm përballë përpjekjeve të Serbisë për t’i ndjekur dhe ndaluar përmes mekanizmave ndërkombëtarë.