Një kontroll policor në orët e hershme të mëngjesit në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt, në afërsi të Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, ka përfunduar me shoqërimin e disa personave në stacion dhe bastisjen e shtëpisë së një 19-vjeçari, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Elionit Buzhala, rreth 19-vjeçar, ndaj të cilit është iniciuar rast për posedim të paautorizuar të armëve.
Gjithçka nisi rreth orës 03:45 të 25 gushtit, kur një patrullë policore që po kalonte nëpër Lagjen Jashari, pranë Kompleksit Memorial, vërejti disa persona të ulur aty afër.
Zyrtarët policorë vendosën t’i verifikojnë dhe t’i kontrollojnë. Te personat nuk u gjet asgjë e dyshimtë, por kontrolli nuk përfundoi me kaq.
Policët kontrolluan edhe një Audi të zi me targa të huaja që lidhej me personat e ndaluar.
Pikërisht aty u bë gjetja që e ndryshoi rrjedhën e kontrollit.
Në derën e pasagjerit u gjetën nëntë gëzhoja të kalibrit 9 mm, të cilat sipas të dhënave policore dyshohet se i përkisnin një pistolete me gaz.
Gëzhojat u sekuestruan, ndërsa personat u shoqëruan në Stacionin Policor në Skenderaj për intervistim.
Pas përfshirjes së hetuesve dhe konsultimit me Prokurorin kujdestar, hetimi u zhvendos edhe në shtëpinë e Buzhalës.
Me urdhër të Prokurorit, Policia kreu bastisjen e shtëpisë së 19-vjeçarit, por gjatë kontrollit nuk u gjet ndonjë send tjetër i dyshimtë.
Rasti është iniciuar për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit, Buzhala është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet nga organet kompetente.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.