Një intervenim i Policisë pas raportimit për probleme mes familjarëve në Pejë ka përfunduar me arrestimin e një 37-vjeçari dhe sekuestrimin e armëve, municionit dhe substancës së dyshuar narkotike, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur mbrëmë, më 28 gusht, rreth orës 23:20, në rrugën “Sali Gjuka” në Pejë.
I dyshuari është Driton Buquku, ndërsa rasti fillimisht ishte raportuar në Polici pasi një qytetare kishte kërkuar ndihmë për shkak të problemeve me një person tjetër.
Me të mbërritur në lokacion, policët kanë kontaktuar fillimisht njërin prej familjarëve, i cili ka deklaruar se i dyshuari dyshohej se kishte konsumuar substanca narkotike dhe ndodhej në gjendje agresive.
Patrulla më pas ka hasur në 37-vjeçarin, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore ai është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës.
Por gjatë intervenimit, Policia ka hasur në gjësende që e kanë zgjeruar krejtësisht rastin.
Në lokacion janë gjetur dy armë zjarri – një Zastava dhe një revolver, si dhe sasi e konsiderueshme municioni.
Policia ka sekuestruar 58 fishekë të kalibrit 9 mm dhe 50 fishekë të kalibrit .38 Special, gjithsej 108 fishekë.
Në të njëjtin lokacion janë gjetur edhe gjashtë qese me një substancë të dyshuar narkotike, e cila dyshohet të jetë kokainë.
Në vendngjarje kanë dalë Njësia e Hetimeve dhe Krim-Teknika, të cilat kanë kryer procedurat përkatëse, ndërsa është njoftuar edhe Prokurori kujdestar.
Me urdhër të Prokurorit janë iniciuar tri vepra penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, “Posedimi i paautorizuar i substancave narkotike” dhe “Sulmi”.
Buquku është ndaluar për 48 orë, por për shkak të gjendjes së tij aktualisht po vazhdon trajtimin mjekësor në repartin e Psikiatrisë.
Hetimet lidhur me rrethanat e plota të rastit po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.