Një rast shqetësues i keqpërdorimit të identitetit të një të miture në rrjete sociale është zbuluar në Janjevë, ku një 38-vjeçar është arrestuar nën dyshimin se qëndron prapa një profili të rremë në TikTok, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Imad Gradina, i lindur më 1988, ndërsa viktima është një vajzë 16-vjeçare.
Rasti është denoncuar më 1 shtator, rreth orës 09:50, kur e mitura është paraqitur në polici në praninë e prindit të saj.
Sipas deklaratës së saj, ajo kishte vërejtur se në TikTok ishte hapur një profil në emrin dhe me fotografitë e saj, ndërsa disa prej fotove dyshohet se ishin manipuluar përmes inteligjencës artificiale, duke e paraqitur atë së bashku me një mashkull.
16-vjeçarja ka drejtuar dyshimet te Gradina, duke deklaruar se edhe më parë ai dyshohet se kishte hapur një profil të rremë në emrin e saj, i cili më pas ishte fshirë.
Pas denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprime dhe Imad Gradina është arrestuar në qendër të Janjevës.
Gjatë kontrollit të telefonit të tij, sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, janë gjetur dëshmi që lidhen me rastin.
I dyshuari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa me urdhër të Prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor.
Rasti është iniciuar për veprën “Hyrje në sistemet kompjuterike”, ndërsa hetimet pritet të zbardhin plotësisht mënyrën e krijimit dhe përdorimit të profilit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.