Sinjali ka mësuar identitetin e personit të dyshuar për zjarrvënien që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Prizren, ku flakët përfshinë hapësira të varrezave katolike dhe myslimane.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Imli Krasniqi rreth 57 vjeqar, i cili është lokalizuar nga Policia dhe më pas është ndaluar për 48 orë.
Rasti ka ndodhur më 13 gusht, rreth orës 19:45, në rrugën “Shefqet Berisha”, pasi Policia kishte pranuar informatën se një hapësirë brenda varrezave katolike ishte përfshirë nga zjarri.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar Policia dhe zjarrfikësit, ndërsa këta të fundit është dashur të ndërhyjnë në dy hapësira – te varrezat katolike dhe te varrezat myslimane.
Zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa në momentin kur Policia ka mbërritur në vendngjarje nuk kishte qytetarë në hapësirën e varrezave. Vlera e dëmeve të shkaktuara ende nuk dihet.
Gjatë veprimeve në terren, policët kanë mbledhur informacione që kanë çuar në identifikimin e personit të dyshuar për shkaktimin e zjarrit.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, Krasniqi është lokalizuar dhe shoqëruar në stacion policor, ndërsa në raportin e rastit thuhet se ai ishte në gjendje të rënduar nga konsumimi i alkoolit.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për “Zjarrvënie” dhe ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.