Një person i kërkuar nga organet e drejtësisë është arrestuar nga Policia në Prizren, pas veprimeve operative-hetimore për lokalizimin e tij.

Sinjali mëson ekskluzivisht se personi i arrestuar është Benjamin Mangjuka, i cili ishte në kërkim për vuajtjen e një dënimi me një vit burgim efektiv për veprën penale “Grabitje”.

Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi është realizuar më 7 gusht, nga Njësiti për Realizimin e Urdhëresave i Stacionit Policor në Prizren.

Mangjuka ishte dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prizren me një vit burgim efektiv për veprën penale “Grabitje”, nga neni 317 i Kodit Penal.

Pas lokalizimit, ai është arrestuar dhe fillimisht është shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren për përfundimin e procedurave.

Më pas, Benjamin Mangjuka është dërguar në institucionin korrektues për vuajtjen e dënimit prej një viti burgim.

Policia ka bërë të ditur se operacionet për lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë do të vazhdojnë.