Një rast me dyshime për fajde, ku përfshihet një hua prej mbi 18 mijë eurosh dhe një veturë luksoze e lënë si garanci, është denoncuar në Policinë e Kosovës, raporton ekskluzivisht Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi ndaj të cilit janë ngritur pretendimet është Fatos Boxhovi, ndërsa rasti është iniciuar nga Policia si “Fajdeja” dhe tashmë ndodhet nën hetime.

Denoncimi është bërë më 28 gusht, rreth orës 17:00, në Stacionin Policor në Prishtinë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, 60-vjeçari që ka denoncuar rastin ka deklaruar se nga Boxhovi kishte marrë hua 18 mijë e 50 euro, me marrëveshjen që paratë t’i kthente brenda një muaji.

Por, sipas pretendimeve të ankuesit, për huanë i ishin kërkuar edhe 3 mijë euro kamatë, duke e çuar detyrimin në gjithsej 21 mijë e 50 euro.

Në gjithë këtë histori hyn edhe një Audi Q7.

Për sigurimin e borxhit, ankuesi kishte bërë një autorizim noterial për veturën e tij, përmes të cilit të dyshuarit i ishte dhënë e drejta për ta përdorur apo shitur atë.

Sipas versionit të ankuesit, kur kishte tentuar t’ia kthente paratë, Boxhovi nuk i ishte përgjigjur në telefon. Përballë kësaj situate, ai kishte vendosur ta revokonte autorizimin e dhënë për Audi Q7.

Por, disa ditë më vonë, 60-vjeçari pretendon se kishte mësuar se vetura ndërkohë ishte çlajmëruar.

Kur kishte kërkuar kthimin e saj, sipas deklarimit të tij në Polici, nga ai dyshohet se janë kërkuar edhe 10 mijë euro shtesë, ndërsa shuma e pretenduar për kthimin e veturës kishte arritur në 30 mijë euro.

Pikërisht këto pretendime e kanë çuar rastin në Polici.

Për denoncimin është njoftuar Prokurori kompetent dhe, me udhëzim të tij, është iniciuar rasti për veprën penale “Fajdeja”.

Hetimet tashmë pritet të sqarojnë marrëdhënien financiare ndërmjet palëve, rrethanat e dhënies së huasë dhe autorizimit për Audi Q7, si dhe pretendimet për shumat shtesë të parave.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.