Një rast i rëndë që ndodhi dje në lagjen Dardania në Prizren ka përfunduar me një person të hospitalizuar në QKUK, ndërsa personi që dyshohet se e sulmoi vazhdon të jetë në arrati, raporton ekskluzivisht Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi që po kërkohet lidhur me rastin është Hamëz Lubovci, ndërsa viktima është S.L 30-vjeçar.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 25 gusht, rreth orës 10:30, në lagjen Dardania.

Policia është vënë në dijeni për rastin disa orë më vonë, pasi është njoftuar se në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit po trajtohej një person që kishte pësuar lëndime nga goditjet.

Gjendja e 30-vjeçarit ka rezultuar më serioze, pasi mjekët kanë konstatuar lëndime të rënda trupore dhe është vendosur që ai të transferohet me ambulancë në QKUK në Prishtinë për trajtim të specializuar.

Pas marrjes së informatës, në vendin ku dyshohet se ka ndodhur sulmi kanë dalë hetuesit policorë dhe njësia e Forenzikës, të cilët kanë nisur ekzaminimin dhe mbledhjen e provave.

Për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar procedura për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Ndërkohë, Hamëz Lubovci nuk është arrestuar dhe, sipas informacioneve të rastit, vazhdon të jetë në arrati.

Hetimet për zbardhjen e motivit dhe rrethanave të plota të përleshjes po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.