Gazeta Sinjali ka mësuar identitetin e personit të dyshuar për sulmin ndaj një mjeku në Emergjencën e Ferizajt, në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Endrit Jasharin, 26 vjeçar, i cili dyshohet se ka sulmuar me grusht në fytyrë mjekun kujdestar, F.F. 32 vjeçar, derisa ky i fundit po ofronte ndihmë mjekësore për prindin e të dyshuarit.
Ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor, rreth orës 00:30, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Jashari kishte shoqëruar prindin e tij, i cili ndodhej në gjendje të dehur dhe kishte nevojë për trajtim mjekësor.
I pakënaqur me mënyrën e trajtimit, ai dyshohet se kishte filluar të ushtronte presion dhe të përdorte fjalë fyese ndaj stafit shëndetësor.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura që të qetësohej dhe të mos pengonte trajtimin e pacientit, situata ishte përshkallëzuar.
Sipas deklarimeve të mjekut dhe dëshmitarit, Jashari e kishte goditur papritur me grusht në anën e majtë të fytyrës.
Një person i pranishëm kishte ndërhyrë dhe e kishte larguar të dyshuarin, ndërsa Policia kishte reaguar pas njoftimit dhe e kishte arrestuar në vendngjarje.
Mjeku nuk ka raportuar lëndime dhe nuk ka kërkuar trajtim mjekësor.
Me vendim të Prokurorisë, Endrit Jashari është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Rasti mbetet nën hetim.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.