Një krevat i nxjerrë në oborr dhe i dëmtuar me sëpatë, një dritare e thyer dhe një kamerë sigurie e shkatërruar me shkop druri. Kjo ishte pamja që i priti policët në një shtëpi në Vitomiricë të Pejës, ku një nënë ka denoncuar djalin e saj për dhunë psikologjike dhe presion të vazhdueshëm për para. Rasti ka përfunduar me arrestimin e 28-vjeçarit, ndërsa gjatë hetimeve është zbuluar se dëmtime në shtëpi ishin shkaktuar edhe një ditë më parë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja është raportuar të premten, më 6 nëntor 2026, rreth orës 13:30, në rrugën “Zuko Qungur”, në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, A.H., rreth 51-vjeçare, ka denoncuar djalin e saj, S.H., rreth 28-vjeçar, duke deklaruar se ai ushtronte dhunë psikologjike ndaj familjarëve për t’i detyruar t’i jepnin para.

Kur patrulla policore mbërriti në vendngjarje, hasi një krevat të hedhur jashtë në oborr, një dritare të thyer dhe një kamerë sigurie të dëmtuar.

Nëna u ka deklaruar hetuesve se pas këtyre dëmtimeve qëndronte djali i saj, për të cilin ka pohuar gjithashtu se është përdorues i substancave narkotike.

Sipas denoncimit të saj, 28-vjeçari kishte ushtruar presion të vazhdueshëm psikologjik ndaj familjes, duke kërkuar të holla.

Por nga informacionet që ka siguruar Sinjali rezulton se përplasjet në këtë familje nuk kishin nisur atë ditë.

Vetëm një ditë më parë, më 5 nëntor, i dyshuari kishte dëmtuar edhe xhamin e derës hyrëse të shtëpisë, sipas informacioneve të rastit.

Çfarë pranoi i dyshuari para hetuesve?

Pas arrestimit në vendngjarje, 28-vjeçari është intervistuar nga hetuesit në praninë e avokatit mbrojtës.

Gjatë deklarimit, ai ka dhënë shpjegimin e tij për krevatin e nxjerrë në oborr.

Sipas tij, krevatin e kishte larguar nga shtëpia me kërkesën e nënës, por pasi e kishte vendosur jashtë, e kishte dëmtuar me sëpatë.

Ai ka deklaruar gjithashtu se kamerën e sigurisë, të vendosur pranë derës së shtëpisë, e kishte dëmtuar me një shkop druri.

Ndërkohë, nëna është intervistuar nga njësia e hetimeve në praninë e përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale, psikologes dhe neuropsikiatrit.

Në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit dhe njësia e krimteknikës për dokumentimin e dëmtimeve.

Prokuroria urdhëron ndalimin për 48 orë

Pas veprimeve fillestare, për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka udhëzuar inicimin e procedurës penale për veprat “Dhuna në familje” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Me vendim të Prokurorisë, 28-vjeçari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.

Pretendimet e nënës për përdorimin e substancave narkotike dhe dhunën e vazhdueshme psikologjike mbeten objekt i verifikimit nga organet kompetente.