Një rast i raportuar fillimisht si vjedhje e rëndë në Gjilan ka marrë kthesë pas veprimeve hetimore, pasi vetura e raportuar si e vjedhur është gjetur në garazhin e dajës së pronarit.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 17 qershor, rreth orës 00:45, Gazmend Shala kishte vërejtur se vetura e tij Mercedes, me ngjyrë të verdhë, nuk ndodhej më në oborrin e shtëpisë.
Sipas deklarimit të tij, vetura kishte vlerë rreth 22 deri në 25 mijë euro, ndërsa brenda saj ndodheshin edhe rreth 5 mijë euro para të gatshme në një çantë dore.
Pas veprimeve intensive operative, më 18 qershor rreth orës 16:20, vetura është gjetur në garazhin e shtëpisë së Bajram Freitag, i cili është daja i ankuesit.
Me urdhër të Prokurorisë, vetura është sekuestruar, ndërsa më 20 qershor i është kthyer pronarit së bashku me gjërat që ndodheshin brenda saj.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti që fillimisht ishte kualifikuar si “Vjedhje e rëndë”, më pas është rikualifikuar në veprën penale “Vetëgjyqësia”.
Ndaj Bajram Freitag është ngritur kallëzim penal dhe procedura po vazhdon në mënyrë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.