Një natë e pazakontë është regjistruar në Prizren, ku një grua fillimisht dyshohet se ka shqetësuar qytetarët dhe ka prishur rendin e qetësinë publike, ndërsa situata ka vazhduar edhe pasi ajo është shoqëruar në stacion policor, raporton Sinjali.

Gjithçka nisi të premten, më 28 gusht, rreth orës 23:20, kur Policia mori informacion për një person që po shqetësonte qytetarët në rrugën “Adem Jashari”.

Patrulla policore doli në lokacion, por personi ishte larguar para mbërritjes së saj. Pas mbledhjes së informacioneve, policët vazhduan kërkimet dhe rreth orës 23:50 arritën ta lokalizonin gruan.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, ajo dyshohet se vazhdonte të shfaqte sjellje të çrregullta dhe të prishte rendin dhe qetësinë publike, ndaj është shoqëruar në stacion policor.

Pas identifikimit, policët kanë konstatuar se ajo ishte në gjendje të rënduar dhe dyshohej se ishte nën ndikimin e alkoolit. E dyshuara ka refuzuar t’i nënshtrohej alkooltestit.

Për shkak të gjendjes së saj, ajo është vendosur në një nga zyrat e stacionit, me qëllim që të pritej derisa të krijoheshin kushtet për intervistimin e saj.

Por telashet nuk përfunduan me shoqërimin në Polici.

Pas disa çastesh, gruaja dyshohet se ka nisur të godiste derën dhe sirtarët që ndodheshin brenda zyrës, duke shkaktuar dëme materiale.

Në vendin e ngjarjes është angazhuar edhe Krim-Teknika, e cila ka fotografuar dëmtimet, ndërsa vlera e tyre ende nuk është përcaktuar.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe, pas konsultimit me të, është iniciuar procedura për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Me urdhër të Prokurorit, e dyshuara është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet nga organet kompetente.