Një tjetër zhvillim është shënuar në hetimet që lidhen me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”, që ndërlidhet me ngjarjet e 19 prillit 1999 në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ku viktima figurojnë 23 civilë shqiptarë, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se personi i ndaluar është Momir Radenković, 65 vjeçar i cili ishte evidentuar në STOP LISTË nga hetuesit e Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës, në kuadër të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës.
Radenković është ndaluar në Pikën Kufitare në Bërnjak dhe më pas është shoqëruar në zyrat e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës.
Ajo që e bën rastin më specifik është zhvillimi që ka pasuar pas ndalimit të tij.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, 61-vjeçari fillimisht është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, në kuadër të hetimeve për rastin që u shndrrua si i dyshuar.
Pas intervistimit, për rastin është njoftuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, si dhe prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Me autorizimin e këtij të fundit, statusi procedural i Radenkovićit ka ndryshuar nga dëshmitar në të dyshuar, ndërsa ai është intervistuar nën dyshimin për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.
Në përfundim të veprimeve procedurale, Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.
Hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.