Një operacion policor i zhvilluar në Podujevë ka rezultuar me arrestimin e një personi dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të substancave të dyshuara narkotike, cigareve elektronike me përmbajtje THC dhe një arme zjarri.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i arrestuari është Elhami Çitaku, i cili u kap nga Policia pranë një objekti ku gjatë kontrollit u zbuluan droga dhe sende të tjera të dyshuara si prova materiale.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, operacioni është realizuar më 22 tetor 2026, rreth orës 13:00, në afërsi të udhëkryqit të rrugëve “Bahri Fazliu” dhe “Ilir Konushevci” në Podujevë.
Hetuesit e Stacionit Policor në Podujevë, pas një pune operative, kanë kontrolluar katin e dytë të një objekti të pashfrytëzuar, ku kanë hasur në substanca të dyshuara narkotike dhe pajisje të ndryshme.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 428 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e ndarë në qese të vogla të mbështjella me foli alumini, si dhe cigare të mbushura me substancë narkotike.
Përveç marihuanës, Policia ka sekuestruar edhe 0.3 gram kokainë, 18 cigare elektronike VAPE me substancë të dyshuar THC dhe një peshore digjitale.
Në të njëjtin lokacion është gjetur edhe një pistoletë e tipit “Blow”, me një karikator dhe dy fishekë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe forenzika rajonale, të cilat kanë kryer ekzaminimet dhe procedurat përkatëse, ndërsa rasti është transferuar për hetime të mëtejshme te njësia kompetente.
Çitaku, i cili është hasur pranë vendit të ngjarjes gjatë operacionit, është arrestuar dhe më pas është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës.
Pas konsultimit me prokuroren e Departamentit të Krimeve të Rënda, ndaj tij është marrë vendim për ndalim prej 48 orësh.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.