Fehim Sali, pjesëtar i komunitetit goran në Kosovë, u arrestua të enjten në pikën kufitare në Merdare, nën dyshimin për spiunazh dhe bashkëpunim me Shërbimin Inteligjent të Serbisë (BIA).

Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj tij, ndërsa pas arrestimit janë publikuar edhe fotografi që tregojnë se Sali kishte qenë i pranishëm në aktivitete në Presidencën dhe Kryeministrinë e Kosovës.

Sali, arsimtar nga Komuna e Dragashit dhe i angazhuar në sistemin arsimor serb në Kosovë, kishte qenë anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Presidencës.

Sipas Presidencës, ai kishte përfaqësuar komunitetin goran në këtë Këshill për dy mandate, nga viti 2020 deri më 2022 dhe nga viti 2022 deri më 2024.

Ai ishte shkarkuar nga Këshilli më 3 maj 2024, pas një raporti me informacione të sigurisë dhe me propozim të sekretarit të Këshillit.

Sali kishte marrë pjesë edhe në një takim në Zyrën e Kryeministrit më 3 tetor 2022, kur kryeministri Albin Kurti kishte bashkëbiseduar me përfaqësues të komunitetit goran nga akademia, organizatat joqeveritare, mediat dhe institucionet.

Në atë takim ishte diskutuar për përfaqësimin e komunitetit goran në institucione, krijimin e vendeve të punës, zhvillimin e turizmit dhe rritjen e mirëqenies së këtij komuniteti.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale dyshon se Sali ishte rekrutuar nga BIA dhe vepronte sipas udhëzimeve të zyrtarit të lartë të këtij shërbimi, Zhelimir Matoviq, i njohur me nofkën “Zheljko”.

Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se ka ofruar informacione për situatën politike në Kosovë, ka identifikuar zyrtarë të AKI-së përmes fotografimit dhe ka përcjellë informacione për persona të ndryshëm që mund të ishin objektiva për kontaktim apo rekrutim nga BIA.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet gjithashtu se Sali mbante kontakte me persona me ndikim politik dhe shoqëror në Serbi e Kosovë, veçanërisht nga komunitetet joshumicë.

Pas arrestimit, Policia dhe Prokuroria Speciale bastisën shtëpinë e tij në Dragash, ku, sipas të dhënave të publikuara, u sekuestruan 39 mijë e 500 euro, 500 dinarë serbë dhe katër telefona celularë.

Hetimet ndaj tij janë duke vazhduar, ndërsa dyshimet e Prokurorisë mbeten për t’u vërtetuar në procedurë gjyqësore.