Një ngjarje e rëndë dhe tragjike ka tronditur sot Gjakovën. Bashkim Hajredini, 49-vjeçar, është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në rrugën “Rrustem Berisha”, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është zbuluar sot, më 4 shtator, rreth orës 12:15, pasi një familjar i Hajredinit kishte shkuar për ta vizituar.
Kontakti i fundit me të, sipas deklarimit të familjarit, kishte qenë më 2 shtator, rreth orës 17:00. Hajredini jetonte i vetëm prej rreth dy vitesh.
Pas raportimit, në vendngjarje kanë dalë menjëherë ekipet policore dhe mjekësore, por fatkeqësisht për 49-vjeçarin nuk kishte më çfarë të bëhej. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij.
Pranë trupit të pajetë është gjetur edhe një armë e shkurtër zjarri. Bazuar në rrethanat e para të konstatuara në vendngjarje, dyshohet se Hajredini i ka dhënë fund jetës, megjithëse rasti zyrtarisht po trajtohet si “Hetim i vdekjes”.
Familjari që e kishte gjetur ka deklaruar para hetuesve se nuk kishte njohuri nëse 49-vjeçari kishte pasur probleme shëndetësore apo ndonjë problem me persona të tjerë.
Në vendngjarje kanë dalë edhe Hetimet Rajonale, ndërsa për rastin janë njoftuar Prokurori kujdestar për Krime të Rënda dhe Kryeprokurori.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ekipi i IML-së ka arritur në vendngjarje ndërsa trupi është tërhequr për ekzaminim.
Hetimet do të vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjes.
Sinjali u shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmve të të ndjerit.