Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit dhe akterë të tjerë të sigurisë rrugore, ka lansuar fushatën rajonale të Ballkanit Perëndimor me moton “Një çast për jetën!”.
Fushata, e mbështetur nga Sekretariati i Komunitetit të Transportit të Bashkimit Evropian, ka për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e respektimit të masave të sigurisë gjatë pjesëmarrjes në trafik.
Përmes një njoftimi të publikuar në Facebook, Policia e Kosovës ka bërë thirrje që drejtuesit dhe udhëtarët të vendosin rripin e sigurisë, pavarësisht se në cilën ulëse janë ulur.
Po ashtu, është theksuar rëndësia e sigurimit të fëmijëve në ulëse të përshtatshme për udhëtim, si dhe e vendosjes dhe lidhjes së saktë të helmetës gjatë ngasjes së motoçikletave.
Policia u bën thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë këto masa, të cilat mund të jenë vendimtare për mbrojtjen e jetës dhe parandalimin e pasojave të rënda në trafik.