Një gjobë prej 300 eurosh për kontrabandim të mallrave, e cila nuk ishte paguar, i është shndërruar në 15 ditë burgim një shtetasi nga Serbia, i cili është ndaluar në pikën kufitare në Jarinjë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 17 tetor, rreth orës 08:00, gjatë kontrollit në hyrje të pikës kufitare, Policia ka ndaluar Bojan Babiqin, 36 vjeçar, nga Novi Pazari i Serbisë, pasi gjatë verifikimit ka rezultuar se ai figuronte në listën e personave të kërkuar.

Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, ndaj tij ekzistonte një urdhërarrest i lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, lidhur me veprën penale “Kontrabandim i mallrave”.

Babiqit, më 21 gusht 2024, i ishte shqiptuar dënim me gjobë prej 300 eurosh, por për shkak të mospagesës, me aktvendimin e 2 korrikut 2026, gjoba ishte zëvendësuar me 15 ditë burgim.

Pas ndalimit në Jarinjë dhe verifikimit të urdhëresës gjyqësore, ai është dërguar në vuajtje të dënimit.

Rasti është proceduar si “Urdhëresë e realizuar”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.