Brenda një dite, dy persona u sollën në Kosovë nga jashtë vendit – njëri nga Shqipëria, tjetri nga Gjermania
Policia e Kosovës ka realizuar gjatë së mërkurës dy operacione të ndara ndërkombëtare, përmes të cilave një person i dënuar u transferua nga Shqipëria në Kosovë, ndërsa një tjetër u ekstradua nga Gjermania.
Sipas Policisë, nga Shqipëria në Kosovë është transferuar një person i dënuar për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municionit në bashkëpunim”.
I dënuari kishte vuajtur një pjesë të dënimit në Shqipëri, ndërsa pas transferimit në Kosovë i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.
Në të njëjtën ditë, autoritetet kosovare kanë realizuar edhe ekstradimin e një shtetasi të Kosovës nga Gjermania.
Ai kërkohej me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës dhe dyshohet se ishte i përfshirë në veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
Pas ekstradimit, i dyshuari është dorëzuar te njësitet përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë për procedurat e mëtejshme ligjore.
Operacionet janë realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.