Pesë kadetë nga Kosova kanë diplomuar në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë.

Në ceremoninë e diplomimit, të organizuar me rastin e Ditës së Fitores së Turqisë, mori pjesë edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Maqedonci i përgëzoi kadetët për përkushtimin, disiplinën dhe suksesin e treguar gjatë studimeve, duke u uruar karrierë të suksesshme në shërbim të vendit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, Maqedonci u takua gjatë ceremonisë edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, të cilëve ua uroi Ditën e Fitores.

“Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë është i rëndësishëm dhe mbështetja në edukim, trajnim dhe përgatitje profesionale të kuadrove të reja ushtarake përbën një nga shembujt konkretë të këtij bashkëpunimi”, thuhet në njoftim.