Një bastisje policore në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit ka përfunduar me sekuestrimin e një pistolete, dhjetëra fishekëve dhe dy gëzhojave, ndërsa një 64-vjeçar është ndaluar për 48 orë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 12 shtator, Njësia e Hetimeve të Krimeve në Gjilan, me mbështetjen e njësive patrulluese dhe pas urdhrit për kontroll, ka bastisur shtëpinë e Muhadin Elezit.

Kontrolli është kryer në kuadër të hetimeve për dyshimet për mbajtje të paautorizuar të armës dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Gjatë bastisjes, Policia ka gjetur një pistoletë të tipit TETEH, kalibër 7.62 mm, të cilën i dyshuari dyshohet se e posedonte pa leje.

Bashkë me armën janë sekuestruar një karikator, 93 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe dy gëzhoja të të njëjtit kalibër.

Arma dhe municioni janë marrë si prova materiale dhe do t’u nënshtrohen procedurave të mëtejshme ligjore dhe ekzaminimit.

64-vjeçari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa sipas të dhënave të rastit, ai i ka pranuar në tërësi veprat për të cilat dyshohet.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit ndaj Elezit janë iniciuar rastet për “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa lënda i është referuar Prokurorisë Themelore në Gjilan për procedurë të mëtejshme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.