Një rast tejet i rëndë është zbuluar në orët e para të mëngjesit në fshatin Landovicë të Prizrenit, pasi Policia ka pranuar informacion për një automjet të dyshimtë të ndaluar në një hapësirë publike.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është regjistruar më 15 shtator, rreth orës 03:00, në rrugën “Aziz Gashi”.

Njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe brenda automjetit ka hasur dy të mitur, një 17-vjeçar dhe një vajzë 13-vjeçare.

Pas kësaj, në rast janë përfshirë edhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë nisur menjëherë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, e mitura është dërguar fillimisht në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren për kontroll të jashtëm mjekësor.

Ndërkohë, 17-vjeçari është intervistuar në praninë e prindit dhe avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.

Pas përfundimit të intervistimit është njoftuar Prokurori kujdestar për të mitur, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 24 orë.

I mituri është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor në Prizren.

Rasti është iniciuar nën dyshimet për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë.