Një person është arrestuar në flagrancë më 22 tetor në kuadër të një operacioni policor në Prishtinë, nën dyshimin për fajde dhe detyrim. Sipas Policisë, i dyshuari është kapur në momentin kur po pranonte para nga viktima si interes të fajdesë.

Operacioni është realizuar nga zyrtarët e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë, i dyshuari, me inicialet L. K., dyshohet se për një periudhë të vazhdueshme i ka bërë presion viktimës për të marrë interes nga veprimtaria e fajdesë.

Po ashtu, ai dyshohet se e ka detyruar viktimën të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Në koordinim me prokurorin e rastit, ndaj të dyshuarit po vazhdojnë veprimet e mëtejshme procedurale dhe ligjore.