Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Gjakovë, ku Bashkim Hajredini, 49-vjeçar, është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në rrugën “Rrustem Berisha”, siç raportoi fillimisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është zbuluar sot, më 4 shtator, rreth orës 12:15, pasi një familjar i Hajredinit kishte shkuar për ta vizituar.
Kontakti i fundit me të, sipas deklarimit të familjarit, kishte qenë më 2 shtator, rreth orës 17:00. Hajredini jetonte i vetëm prej rreth dy vitesh.
Pas raportimit, në vendngjarje kanë dalë menjëherë ekipet policore dhe mjekësore, por fatkeqësisht për 49-vjeçarin nuk kishte më çfarë të bëhej. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhësja e Policisë së Kosovës, Vlera Krasniqi.
“Sot, rreth orës 12:20, në rrugën “Rrustem Berisha” në Gjakovë është gjetur pa shenja jete viktima mashkull, i lindur në vitin 1977. Vdekja e tij është konstatuar nga personeli mjekësor në vendin e ngjarjes. Njësitet e nevojshme policore dhe kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, në konsultim me të cilin është iniciuar rasti “Hetim i vdekjes”, përderisa trupi i pajetë i viktimës dërgohet për ekzaminim mjeko‑ligjor”.