Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet operacionale për protestën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila pritet të mbahet sot në orën 12:00 në sheshet e Prishtinës.

Sipas Policisë, angazhimi policor ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe garantimin e sigurisë për pjesëmarrësit dhe qytetarët.

Policia ka zhvilluar takim me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku është diskutuar për organizimin dhe koordinimin e masave të sigurisë gjatë protestës.

PK-ja u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të respektojnë dispozitat ligjore dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, si dhe të tregojnë kujdes e maturi gjatë protestimit.

Po ashtu, Policia ka kërkuar që të mos hidhen gjësende apo mjete të forta dhe të mos përdoren maska, me qëllim që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt.

Për shkak të protestës dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë që çojnë drejt shesheve të kryeqytetit.

Njësitë policore të trafikut do të jenë të angazhuara në terren dhe, në rast nevoje, do të bëjnë riorientimin e qarkullimit në rrugë alternative.

Policia ka bërë të ditur se zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm gjatë gjithë aktivitetit, duke theksuar se siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e protestës janë prioritet.