Një kontroll policor në fshatin Muzeqinë të Shtimes ka përfunduar me inicimin e një rasti penal, pasi brenda një veture të tipit Golf është gjetur një sprej OC, i cili është trajtuar nga autoritetet në kuadër të veprës penale për armëmbajtje pa leje.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 18 tetor, rreth orës 16:30, kur Policia ka ndaluar një veturë Golf për kontroll.
Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët policorë kanë gjetur një sprej Oleoresin Capsicum (OC), i cili, sipas informatave të siguruara nga Sinjali, i përkiste Ilaz Avdylit rreth 24-vjeç.
Pas konstatimit të rastit, për veprimet e mëtejshme është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa i dyshuari është intervistuar lidhur me posedimin e sprejit.
Në konsultim me prokurorin, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit, Ilaz Avdyli është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.