Një incident është raportuar mbrëmjen e 21 shtatorit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, pasi një udhëtar që kishte ardhur me fluturimin nga Cyrihu dyshohet se ka krijuar probleme në aeroplan dhe më pas ka tentuar ta sulmojë një punëtor të Aeroportit.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur rreth orës 19:45, në platformën 201 B, ku ndodhej aeroplani i ardhur nga Cyrihu.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bëhet fjalë për Labinot Berishën, 25-vjeçar, shtetas zviceran, i cili është shoqëruar në zyrën e Policisë pasi dyshohet se kishte tentuar ta godiste mbikëqyrësin e platformës, punëtor të Aeroportit të Prishtinës.
Gjatë procedurave policore, Berishës i është matur niveli i alkoolit në organizëm, i cili ka rezultuar 1.23 promil.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Sulmi”.
Pas përfundimit të procedurave, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.