Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për ngjarjen e rëndë në fshatin Restelicë të Dragashit, ku një grua dyshohet se u vra nga djali i saj, si dhe ka zbuluar identitetin e të dyshuarit.
Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë ndaj F.B. për veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ndodhi më 20 janar 2026, pas një fjalosjeje mes të pandehurit dhe nënës së tij, T.B., në shtëpinë e tyre në Restelicë.
Prokuroria pretendon se F.B. e sulmoi fizikisht nënën e tij, duke e goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e lëndimeve të rënda, viktima pësoi shok traumatik dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Sipas aktakuzës, pas ngjarjes i pandehuri e vendosi trupin e nënës së tij në një divan dhe e mbuloi me batanije. Trupi u gjet më pas nga familjarët, të cilët kishin shkuar në shtëpi pasi ishin shqetësuar për gjendjen e viktimës.
Sinjali kishte mësuar ekskluzivisht se i dyshuari është Ferzidin Boza, rreth 30-vjeçar, i cili u arrestua në vendin e ngjarjes. Vdekja e rreth 60-vjeçares ishte konstatuar nga ekipi mjekësor i QKMF-së në Dragash.
Gjatë procedurës, ndaj të pandehurit është kryer ekzaminimi psikiatrik dhe psikologjik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.
Sipas rezultateve, aftësia e tij për t’i kuptuar dhe kontrolluar veprimet në momentin e kryerjes së veprës ishte e zvogëluar në shkallë joesenciale.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit të provave, F.B. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.