Një rast i rëndë dyshohet se ka ndodhur në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku një person ka raportuar se është sulmuar fizikisht dhe më pas është dhunuar seksualisht nga tre persona.
Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës, ndërsa viktima, pas ngjarjes, ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës.
Viktima ka deklaruar se fillimisht është sulmuar fizikisht nga tre persona dhe më pas dyshohet se është dhunuar seksualisht.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se ndaj tre personave është iniciuar rast për veprën penale “Dhunimi”.
“Rasti ka ndodhur në Qendrën Korrektuese në Dubravë. Ndaj tre personave është iniciuar rast për veprën penale dhunimi. Janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për këtë rast. Për shkak të ndjeshmërisë, nuk mund të japim më shumë informata”, ka deklaruar Nikçi.