Një konflikt mes disa personave në Podujevë ka përfunduar me lëndime trupore, sekuestrimin e mjeteve që dyshohet se janë përdorur në përleshje dhe ndalimin e tre të dyshuarve.

Sinjali mëson se të dyshuarit janë A.Z rreth 29 rreth vjeçar, R.Z rreth 29 vjeçar dhe M.G rreth 39 vjeçar, ndërsa viktimë në rast figuron Sh.Z rreth vjeçare.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur pasditen e 3 gushtit, rreth orës 18:20, në rrugën “Haxhi Sadri Blaku” në Podujevë, ku Policia u njoftua për një mosmarrëveshje që kishte eskaluar në përleshje fizike.

Në vendin e ngjarjes, ankuesja ka deklaruar se kishte parë R.Z dhe M.G duke e sulmuar A.Z, duke pretenduar se dy prej të përfshirëve kishin edhe armë me vete.

A.Z ka marrë trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara, ndërsa më vonë në Stacionin Policor janë paraqitur edhe R.Z dhe M.G, të cilët kanë deklaruar se, në fakt, ishin sulmuar nga A.Z. Edhe M.G ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, Policia ka kryer kontroll në shtëpinë e M.G, por nuk ka gjetur asnjë send të kundërligjshëm. Ndërkohë, në shtëpinë e R.Z nuk është hasur askush.

Gjatë hetimeve, në rrugën “Hakif Zejnullahu”, hetuesit kanë sekuestruar një shufër druri dhe një shufër metali, për të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë përleshjes. Sipas dyshimeve të Policisë, ato janë hedhur nga një automjet Mercedes, në të cilin ndodheshin A.Z dhe babai i tij, A.Z

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, ndaj A.Z, R.Z dhe M.G është iniciuar procedurë për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të tre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.